Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shkolla e re e Pezës merr emrin e inxhinier Agron Hysenlliut

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Shkolla e re e Pezës, në Tiranë, e ngritur në kuadër të Programit të Rindërtimit do të mbajë emrin e inxhinier Agron Hysenlliut, ish-drejtor i Institutit të Ndërtimit.

Në inaugurimin e shkollës morën pjesë zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i zonës.

Inxhinier Agron Hysenlliu, ndërroi jetë më 15 nëntor të vitit 2020 pasi nuk e fitoi dot betejën me COVID-19. Ai mbante postin e drejtorit të Institutit të Ndërtimit.

“Nder dhe prestigj për Institutin si ent dhe për stafin teknik-administrativ të tij, vënia e emrit të inxh. Agronit një shkolle të re në Pezë, fryt i Programit të Rindërtimit, program për të cilin ai kontriboi aq shumë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediet nga Instituti i Ndërtimit.

Familja Hysenlliu i dhuroi shkollës së re pajisjet e laboratorit të informatikës.

Agron Hysenlliu ishte një profesionist i shkëlqyer, që nuk u kursye asnjë ditë duke ndihmuar këdo që humbi shtëpinë në tërmetin e 26 nëntorit.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version