Trazirat në veri të Kosovës, MEPJ: Asgjë nuk e justifikon dhunën, autorët të nxirren para drejtësisë

TIRANË, 26 shtator/ATSH/-Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh  shqetësimin për përshkallëzimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës dhe dënon fuqimisht aktet vandale të kryera sot, ku disa individë i vunë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zvecan.

Në reagimim zyrtar, MEPJ thekson se “asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë”.

“Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndëkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit.  Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për ç’tensionim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe”, deklaron MEPJ.

MEPJ shton se “si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt ç’tensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.