Shpejtësi deri 161 km/h në rrugën Tiranë- Elbasan, pezullohen 10 leje drejtimi


TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Policia Rrugore si rezultat i kontrolleve me radar, në rrugën interurbane Tiranë – Elbasan ka evidentuar 10 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin nga 130 km/h deri 161 km/h, të cilëve iu pezullua leja e drejtimit nga 1 deri në 3 muaj dhe masë administrative nga 7.000 deri në 20.000 lekë të rinj .

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit u dhanë edhe 14 masa administrative nga 2.000 deri në 4.000 lekë të rinj për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varionte nga 116 km/h deri në 127 km/h .

Policia bën të ditur se “kontrollet kanë vazhduar dhe po vijojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit duke përdorur alkooltestuesit dhe si rezultat janë evidentuar dhe iu është pezulluar leja e drejtimit 9 drejtuesve të automjeteve të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, në masën që varionte nga 0.31 mg/l deri në 0.44 mg/l”.

“Po ashtu janë vendosur 13 masa administrative me vlerë nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj secila për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit”, informon Policia.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.