PORTRET – Annalena Baerbock e gjelbra që kërkon fillimin e ri

BERLIN, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Si adoleshente, Annalena Baerbock ishte një atlete premtuese, ndërkohë që disiplina e saj më e parapëlqyer edhe sot është kërcimi nga trampolina.

Me të vërtetë në formë, bashkëkryetarja 40-vjeçare e gjelbërve të Gjermanisë aktualisht po bën hapin më të madh të jetës së saj si kandidate për kancelare.

Ajo po lufton për postin më të lartë të vendit.

Është hera e parë në historinë 40-vjeçare që të gjelbrit kanë paraqitur kandidatin e tyre për kancelar në zgjedhjet federale.

Të gjelbrit kanë përbërë grupin më të vogël parlamentar në Bundestag në katër vitet e fundit, por autoriteti i partisë është rritur ndjeshëm në sondazhe që kur Baerbock dhe kolegu i partisë, Robert Habeck morën drejtimin në 2018-n.

Si kandidate për kancelare, Baerbock mishëron një ndryshim të madh të brezave në peizazhin politik gjerman.

Ajo është 26 vjet më e re se kancelarja aktuale Angela Merkel dhe ka lindur në shtetin e Saksonisë së Poshtme në 1980, vit kur partia e saj u themelua.

Baerbock u rrit në një familje të krahut të majtë, në një fshat në jug të Hanoverit, dhe shpesh ishte marrë me energjinë antibërthamore dhe demonstratat kundër luftës.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, ajo studioi politikë dhe drejtësi në Hamburg dhe Londër.

Nga viti 2009 deri në 2013, ajo ishte një kandidate për doktoraturë në të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Berlinit, por nuk e përfundoi diplomën.

Nëna e dy vajzave ka jetuar në shtetin lindor gjerman të Brandenburgut për disa vite.

Atje ajo ishte kryetare e të gjelbërve nga 2009 në 2013 dhe gjithashtu u zgjodh në Bundestag në 2013.

Deri më tani, ajo nuk ka përvojë në qeverisje.

Në garën për të përcaktuar se cili nga dy drejtuesit e partive do të kandidonte për kancelare në fillim të këtij viti, ajo mbizotëroi kundër Habeck.

Pas njoftimit, në prill, se Baerbock do të ishte kandidate për kancelare, të gjelbrit përjetuan një rritje të sondazheve dhe ishin partia më e fortë në Gjermani. Por, euforia ishte e shkurtër dhe përkrahja ra përsëri.

Ngjitja në sondazhe ra pasi Baerbock raportoi me vonesë pagesat speciale që kishte marrë nga partia e saj, pasi në CV-në e saj u zbuluan mospërputhje në lidhje me gradat  akademike si edhe për një punë të supozuar në Bruksel.

Menjëherë më pas, doli që në librin e sapo botuar prej saj, Baerbock kishte bërë plagjiaturë.

”Der Spiegel” e shpalli kandidaturën e saj “të shkatërruar” dhe disa intelektualë pranë të gjelbërve kërkuan pa sukses që Habeck të zëvendësojë Baerbock si kandidat i partisë për kancelar.

Pavarësisht nga këto, fushata e Baerbock ka prekur sërish imagjinatën e votuesve.

Politikisht, Baerbock është për një dalje më të shpejtë nga prodhimi i energjisë me qymyr, për një zgjerim të shtuar të energjisë së rinovueshme dhe për një politikë aktive të imigracionit.

“Ajo që kam dashur të them përmes sportit është guximi të tejkalosh vazhdimisht veten, të guxosh të bësh gjëra të reja”, shkruan ajo në biografinë e saj zyrtare./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.