Shqipëria do të bëjë gjithçka për të mos braktisur popullin afgan

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke folur për Afaganistanin tha se, “është detyra jonë të bëjmë gjithçka për të mos braktisur popullin afgan, që e gjen veten edhe njëherë në udhëkryq, për të ruajtur arritjet e pamohueshme të dy dekadave të shkuara, për të parandaluar e për t’i rezistuar çdo kthimi në epokën e errësirës që bota ka parë më parë”.

“Ndërkohë që ngjarjet dramatike zhvilloheshin para syve tanë, nuk mund të rrinim duarkryq. Pavarësisht kapaciteteve të kufizuara për të pritur emigrantë, por me një humanizëm të pakushtëzuar, u hapëm dyert refugjatëve afganë. Bëmë atë çfarë kemi bërë në momente të tjera kritike të historisë tonë kur shpëtuam mijëra hebrenj gjatë Holokaustit dhe Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas lufte sesa para saj. Apo kur mirëpritëm gjysmë milioni prej vëllezërve dhe motrave tona kosovare që i shpëtonin ferrit të spastrimit etnik në 1999”, tha Rama.

‘I mirëpritëm refugjatët afganë sepse kemi detyrën morale për të qenë solidarë për ata që janë në rrezik. I detyrohemi historisë sonë, si refugjatë deri 30 vjet më parë. Po kështu ua detyrojmë fëmijëve tanë që besojmë se duhet të mësojnë, jo vetëm përmes fjalëve, por edhe përmes veprave se në këtë jetë ka një kohë kur merr e një kohë kur jep”, u shpreh Rama.

“Ashtu siç laureatja e çmimit Nobel për paqe shenjtorja shqiptare Nënë Tereza ka thënë një herë, “edhe kur nuk bën dot gjëra të mëdha bëj gjëra të vogla çdo ditë, por me dashuri të madhe”. Përulësisht ne po bëjmë pjesën tonë”, theksoi Rama.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.