Shqipëria dhe Izraeli heqin taksimin e dyfishtë, nxitje investimeve

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Shqipëria dhe Izraeli bien dakord për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat për individët dhe bizneset.

Konventa pritet të luajë rol të rëndësishëm në nxitjen e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve.

Rëndësia e këtyre konventave po rritet vazhdimisht në kushtet e rritjes së
aktiviteteve të biznesit të shoqërive shumëkombëshe dhe në kushtet e rritjes së
vazhdueshme të lëvizjes së lirë ndërkombëtare të njerëzve, kapitaleve, mallrave e
parave.

Projektligji për ratifikimin e konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat ka mbërritur për shqyrtim në Kuvend.

Konventa krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve apo personave juridikë shqiptarë apo të Izraelit, të cilët kanë aktivitete biznesi apo të ardhura të tjera që bien nën juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve.

Duke pasur aktivitet në të dyja shtetet apo duke qenë resident i njërit shtet, që siguron të ardhura në shtetin tjetër, individi apo personi juridik mund të rëndohet me tatim të dyfishtë (për të njëjtën të ardhur të tatohet dy herë) gjë që mund të krijojë premisa për shmangie të tatimit dhe evazion fiskal.

Kjo konventë, dispozitat e së cilës kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dyja vendeve, trajton pikërisht faktin se si do të shmanget taksimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për taksimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet apo duke e ndarë këtë të drejtë midis të dyja shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë.

Konventa, gjithashtu, ka dispozita, në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë aktivitet në të dyja vendet.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.