Shpejtësi deri në 155 km/orë, pezullohen 11 leje drejtimi në rrugën Tiranë-Durrës

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Policia e Shtetit po vijon masat e shtuara në fundjavë për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Gjatë orëve të mbrëmjes, në të dyja kahet e lëvizjes të autostradës Tiranë-Durrës, janë konstatuar shpejtësi tej normave të lejuara, që varionin nga 136 km/orë deri në 155 km/orë, ku në rrugë trafiku ishte ende shumë i lartë.

Si rezultat i monitorimit janë pezulluar 11 leje drejtimi nga 1 deri në 8 muaj, për shpejtësi tej normës së lejuar dhe janë ndëshkuar me masë administrative nga 10.000 deri në 20.000 lekë.

Gjithashtu janë vendosur 17 masa administrative me vlerë 4.000 lekë të reja secila për shpejtësi nga 117 km/orë deri në 127 km/orë.

Ndërkohë vijon monitorimi dhe me drager në të gjitha rrugët e Tiranës për të parandaluar drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur. Si rezultat janë vënë në pranga 3 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Po ashtu, janë pezulluar 8 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 14 masa administrative me vlerë nga 5.000 lekë deri në 15.000 lekë për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksionin plotësues, atë të pezullimit të lejes së drejtimit.

Policia e Shtetit apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.