Shkëmbimet tregtare me Turqinë, mbi 57 miliardë lekë

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-gusht sipas të cilit Turqia renditet partneri i dytë tregtar, duke zënë 8 % të vëllimit.

Shkëmbimet tregtare me Turqinë në 8 muajt e këtij viti, kanë arritur mbi 57 miliardë lekë.

Referuar të dhënave për periudhën janar-gusht eksportet shqiptare drejt Turqisë u rritën me 2.5 herë duke shkuar 4 miliardë lekë, nga rreth 1.6 milionë lekë që ishin 8-mujorin e 2020-ës, ndërsa importet për periudhën 8-mujore llogariten 53.4 miliardë lekë.

Nga Turqia, janë importuar 13.5 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale si dhe 11.5 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet 7.2 miliardë lekë.

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.

Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.

Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.