Qyteti antik i Butrintit, destinacioni i rreth 10 mijë turistëve vetëm në shtator

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës edhe gjatë muajit shtator vijon të jetë një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas dhe të huaj.

Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrint, tha për ATSH-në se gjatë muajit shtator ky park u vizitua nga rreth 10 mijë vizitorë, ku rreth 3 mijë janë të huaj”.

“Në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar ka gati një dyfishim të numrit të turistëve. Në shtator të 2020 parku u vizitua nga 5379 vizitorë vendas e të huaj”, shton Dhima.

Sipas Dhimës, turistët e huaj janë kryesisht ukrainas, spanjollë, italianë, francezë, gjermanë, ndërsa grupet turistike.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.

Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.