Ministria e Mbrojtjes: Raportimet se FSK po përgatitet të hyjë në veri, të pavërteta

PRISHTINË, 25 shtator/ATSH/- Ministria e Mbrojtjes ka reaguar duke theksuar se dezinformatat se FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb.

Ministria e Mbrojtjes reagoi “ndaj të gjitha lajmeve të rrejshme, propagandës qëllimkeqe, dezinformatave dhe shkrimeve tendencioze dhe të pavërteta, të shpërndara në mesin e qytetarëve tanë në pjesën veriore të Kosovës, disa nga to edhe të publikuar në mediume”.

“Ju rikujtojmë se Ministria e Mbrojtjes me FSK-në, është institucion shtetëror që realizon detyrat dhe kompetencat e saj në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi si dhe në koordinim të plotë me autoritetet tjera shtetërore dhe KFOR-in. FSK, është organizatë profesionale dhe multietnike, e formuar, ndërtuar dhe zhvilluar në bashkëveprim, koordinim dhe mbështetje të plotë të NATO-s, SHBA-së dhe partnerëve tjerë anëtarë dhe partnerë të NATO-s”, thuhet në njoftim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.