Kontribut në arsim, Kushi vlerëson mësuesin nga Elbasani, Ermir Çela

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vlerësoi sot kontributin në arsim të Ermir Çelës, mësues dhe drejtues i gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”, Elbasan.

“Dua t’ju prezantoj sot me një bashkëqytetarin tim nga Elbasani, mësues Ermirin, i cili përgjatë gjithë karrierës së tij ka spikatur për vlerat më të mira njerëzore e profesionale në ushtrimin e detyrës fisnike të mësuesit, sikurse edhe në funksione të tjera të rëndësishme si drejtues shkolle, pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” etj”, tha Kushi.

Ministrja vlerësoi përkushtimin në punën e përditshme, vullnetin për të bërë gjithmonë më të mirën dhe komunikimin shumë të mirë që ai ka më nxënësit, kolegët, prindërit dhe komunitetin.

“Të gjitha këto e bëjnë atë një vlerë të shtuar në gjithë armatën e mësuesve tanë. Faleminderit mësues Ermiri për çdo kontribut tëndin dhe vetëm mbarësi në punë”, tha Kushi. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.