Gjirokastër- Restaurohet çatia e banesës Harshova, rrezikonte shembjen

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës vazhdon puna për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e banesave karakteristike, të cilat kanë histori dhe vlerë për vetë qytetin, por dhe për vizitorët.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bën të ditur se “banesës Harshova, Monument Kulture kategoria II, që ndodhet në lagjen “Varrosh”, po i restaurohet një pjesë e çatisë pasi rrezikonte shembjen”.

Specialistët e DRTK-së Gjirokastër po kryejnë restaurimin duke ruajtur elementet arkitekturore të saj.

Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.