Gjiknuri nga Elbasani: Kemi filluar që tani përgatitjet për zgjedhjet vendore


TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në një prononcim për medie pas mbledhjes së Asamblesë socialiste të Elbasanit, tha se “ka filluar një proces analize me elektoratin për të gjithë punën e bërë, me qëllim që të nxjerrim më të mirën e mundshme të asaj që u arrit”.

“Sot ishim në një mbledhje shumë të rëndësishme me Asamblenë Socialiste të Bashkisë Elbasan. Ju e shikoni që unë kam filluar një tur në të gjithë Shqipërinë si Sekretar i Përgjithshëm, aq më tepër këtu në Elbasan dhe si drejtues politik i këtij Qarku. Bashkë me kolegët e mi, Evisin, Gledin dhe kolegë të tjerë deputetë, kemi filluar një proces analize me elektoratin për të gjithë punën e bërë, me qëllim që të nxjerrim më të mirën e mundshme të asaj që u arrit”, tha Gjiknuri.

Sipas tij, “Elbasani ka rezultate shumë të mira elektorale dhe ne kemi filluar që tani përgatitjet për zgjedhjet vendore”.

“Kjo analizë është shumë e nevojshme për të pasur një organizim të duhur të Partisë Socialiste, që të mos presim thjesht fushatën zgjedhore, por që në çdo moment të zgjedhjeve, familja jonë politike të jetë gati për t’i fituar ato. Unë kam besim se me punët e mira të bëra në Elbasan dhe shpirtin e socialistëve të Elbasanit, jam i bindur që do të fitojmë të gjitha bashkitë e Qarkut”, tha ai./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.