Ekonomi dhe Kumbaro në Shijak, fokus menaxhimi i mbetjeve urbane

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Menaxhimi i mbetjeve urbane në Shijak ishte në fokus të takimit të Ministres së Shtetit për Standardet dhe Shërbimet Milva Ekonomi, Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe kreut të Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana.

Arbana theksoi se “ky takim tregon akoma më tepër vizionin e ri qeverisës për të qenë të terren, pranë problematikave të qytetarëve”.

“Diskutuam për menaxhimin sa më të mirë të mbetjeve urbane, një nga problematikat që ka pasur qyteti i Shijakut, ku jemi zotuar për ta zgjidhur”, deklaroi kreu i bashkisë, Arbana.

Në takim u diskutua edhe mbi ecurinë e procesit të rindërtimit pas tërmetit.

“Gjithashtu u diskutua për modelin e sukseshëm që ka dhënë bashkia duke punuar me rindërtimin pas tërmetit, ecurinë e punëve për ndërtimin e banesave të reja, grantet e rikonstruksionit të gjitha #falas, falë mbështetjes së vazhdueshme të Kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, theksoi Arbana.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.