Dogji një sipërfaqe toke me pemë frutorë, procedohet në gjendje të lirë një shtetase në Cërrik

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik, proceduan penalisht në gjendje të lirë një shtetase, e cila dogji një sipërfaqe toke me pemë frutorë dhe ullinj.

Policia procedoi shtetasen L.P., banuese në fshatin Shalës, Cërrik, pasi dyshohet se në fshatin Shalës, ka djegur disa barishte në pronën e saj dhe pasi zjarri ka dalë jashtë kontrollit është djegur një sipërfaqe toke me pemë frutore dhe ullinj, në pronësi të shtetasit Y.L.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Po ashtu, nga Policia e Elbasanit u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: L.B., 50 vjeç, B.H., 58 vjeç dhe J.Xh., 46 vjeç, banues në Elbasan, pasi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, kanë penguar qarkullimin e mjeteve dhe kanë hequr barrierat e rrugës të vendosur nga ARRSH-ja, duke i dëmtuar ato.

Policia po vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë organizim të paligjshëm./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.