Denisa nga Xibraka në shkollë me bashkëmoshatarët, Kushi e viziton në prag të fillimit të vitit të ri shkollor

 

TIRANË 25 shtator /ATSH-I.Vata/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit,  Evis Kushi për të dytin vit radhazi ka vizituar familjen e Denisës në Xibrakë, për t’u siguruar që vogëlushes nuk i mungon asgjë për të ndjekur rregullisht vitin e ri shkollor.

Kryeministri Edi Rama përcolli pamjet ku Kushi i jep librat falas Denisë së vogël, që një vit më parë e humbi ditën e parë të shkollës.

“Ministrja Evis Kushi, vizitë tek Denisa e vogël në Xibrakë të Elbasanit, për t’u siguruar që vogëlushes nuk i mungon asgjë për të ndjekur rregullisht vitin e ri shkollor. Suksese Denisës dhe çdo nxënësi në datën 27 shtator e në vijim”, shprehet Rama.

Krahas librave shkollorë që Denisa i përfiton nga nisma “Librat Falas”, asaj iu dhurua edhe çanta dhe çdo mjet i nevojshëm për mësim. Ajo e ka ndjekur rregullisht në shkollë edhe mësimin plotësues që nisi me datë 1 shtator.

Ministrja Kushi nuk ka harruar të bëjë dhurata edhe për vëllain e motrën e Denisës, përkatësisht 5 dhe 3 vjeç.

Vitin e kaluar, ministrja Kushi i dhuroi Denisës dhe vëllait të saj nga një tabletë të pajisur me internet, për ndjekjen e mësimit në distancë në kohë pandemie.

Rasti i Denisës tërhoqi vëmendje pasi u transmetua në një media vizive një vit më parë, për shkak të pamundësisë së familjes së saj për ta pajisur me libra dhe mjete shkollore.

Qeveria shiptarë ka garantuar që këtë vit shkollor përmbushet angazhimi që në arsimin bazë të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 të kenë librat shkollorë falas dhe për nxënësit e kategorive në nevojë të klasave 10-12.

Libra falas do të jenë për 280 mijë nxënës përfitues, të cilët do të mësojnë me botimet prestigjioze të “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.