Dekorata “Nderi i Kombit” për atletin e mirënjohur Gjergj Ruli

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” atletin e mirënjohur kampion dhe rekordmen, si dhe drejtuesin e Federatës së Atletikës Shqiptare, Gjergj Ruli, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera sportive të shënuara si kampion dhe rekordmen atletike ndër vite. Për arritjet e spikatura, talentin e veçantë dhe personalitetin e tij dinjitoz në paraqitjen e vlerave kombëtare në këtë sport, duke dëshmuar profesionalizëm, jo vetëm si sportist, trajner dhe studiues, por dhe si drejtues i Federatës Shqiptare të Atletikës, me rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoni, Meta u shpreh i lumtur, që ndodhej së bashku me gjithë këto personalitete të sportit vendase e ndërkombëtare, dhe veçanërisht në Durrës, në vendlindjen e legjendës së atletikës sonë Gjergj Ruli, për të nderuar këtë ikonë të sportit shqiptar.

“Është momenti që, të kthejmë më shumë vëmendjen drejt atletikës, ‘Mbretëreshës së të gjitha sporteve’, që meriton një mbështetje më të madhe, pasi edhe sukseset mund të jenë më të mëdha, jo vetëm në disiplinat e saj, por në të gjitha sportet e tjera në vendin tonë”, theksoi ai.

“Gjergj Ruli ka qenë sportist model, Kampion dhe rekordmen i panumërt  i Shqipërisë në Atletikë. Atlet jo vetëm i  Klubit ‘Dinamo’, por  edhe i Ekipit Kombëtar, në disiplinat, kërcim së gjati, 100m, 10 garësh dhe stafetë 4 x 100m, duke fituar gati 250 tituj dhe trofe brenda dhe jashtë vendit.

Ai është fitues i medaljeve të arit dhe bronzit në aktivitete mjaft  të rëndësishme ndërkombëtare të atletikës, si dhe në kampionate ballkanike.

Edhe sot Gjergj Ruli vazhdon të fitojë tituj kampionë  edhe në nivele europiane, sikurse është rasti si trajneri i një kampioni tjetër të madh, që kemi sot këtu,  atletin tonë elitar, Izmir Smajlaj në garën e kërcimit së gjati.

Ruli me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në krye të Federatës Shqiptare të Atletikës, ka realizuar sfida nga më të vështirat me atletët tanë në kompeticionet e rëndësishme ndërkombëtare, duke mbajtur të gjalla emocionet, që sjellin kampionët”, u shpreh Meta.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.