Barazia gjinore, administrata doganore prioritet rritjen e përfaqësimit të grave

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Rritja e përfaqësimit të grave në strukturat doganore shqiptare po shihet me prioritet nga drejtuesit e Doganës Shqiptare.

Gratë, punonjëse pranë kësaj administrate morën pjesë në forumin e parë me temë “Gratë në dogana”, të organizuar nga Organizata Botërore e Doganave dhe Unioni Tatimor dhe Doganor (DG TAXUD) të Komisionit Evropian.

Në këtë forum, i cili u zhvillua online, morën pjesë rreth 200 përfaqësues nga doganat e gjithë botës, ku shkëmbyen eksperiencat, ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e barazisë gjinore dhe përfshirjes së grave sa më shumë në vendimmarrje.

Organizata Botërore e Doganave së shpejti pritet të shpallë zyrtarisht “Rrjetin për barazi gjinore dhe diversitet në dogana”, që synon të sigurojë një platformë të nivelit të lartë për shkëmbimin e përvojave frymëzuese dhe të çojë përpara këtë axhendë për të arritur një doganë më gjithëpërfshirëse.

Në fjalën e tij përshëndetëse, sekretari i përgjithshëm i OBD-së, Kunio Mikuriya, vlerësoi se promovimi i diversitetit dhe përfshirjes në vendin e punës inkurajon inovacionin dhe përmirëson performancën individuale dhe organizative, pasi njerëzit me prejardhje të ndryshme sjellin perspektiva dhe ide të ndryshme në tryezë.

Sikurse shtoi se është një çështje e të drejtave të njeriut, zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies”

Sipas statistikave që u paraqitën në forum 37 % është prezenca e femrave doganiere në shkallë globale, ndërsa raporti femra doganiere në nivele drejtuese është 26 % .

Dogana Shqiptare në lidhje me barazinë gjinore në administratën e saj ka një përqasje pozitive, ku aktualisht janë të punësuara 303 gra, ose 29 % e gjithë stafit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.