Veliaj, vizitë në Itali: Bashkëpunim me Veronën dhe Viçencën për menaxhimin e mbetjeve

-Thellim i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare-

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë në bashkinë e Veronës dhe atë të Vicencës, dy qytete me të cilat ka një sërë bashkëpunimesh mes institucioneve lokale në fusha të ndryshme ekonomike dhe tregtare, ndërsa së fundmi është thelluar edhe më shumë bashkëpunimi në menaxhimin e mbetjeve.

Kompania “Eco Tirana”, e cila është në partneritet me bashkinë e Veronës, tashmë do të zgjerojë bashkëpunimin edhe me bashkinë e Viçencës, falë marrëveshjes mes dy qyteteve italiane dhe Tiranës.

Veliaj u shpreh i lumtur për këtë partneritet të ri, sidomos në një kohë kur kompanisë publike të menaxhimit të mbetjeve në kryeqytet i shtohet edhe një zonë tjetër, duke e shtrirë shërbimin edhe në periferi.

“Duke qenë se komuna e Viçencës dhe komuna e Veronës janë bërë ortake në menaxhimin e shërbimeve të qytetit, përfshirë edhe atë të pastrimit, ato janë automatikisht edhe ortakët e rinj në pastrimin e qytetit të Tiranës. Duke qenë se kishim një takim të marrëdhënieve tona të menaxhimit të këtyre shërbimeve, sidomos të pastrimit të Tiranës, dyfishimin e territorit që do të pastrojë “Eco Tirana” tani, kisha kënaqësinë që kryetarin e Bashkisë ta ftoja të vizitojë Tiranën, edhe për faktin se jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, teksa Viçenca është një qytet me shumë të rinj, një qytet i hapur, me shumë talente, me shumë njerëz që investohen në art e në kulturë. Mezi pres që i gjithë ky rrjet i qyteteve italiane, jo vetëm i bashkisë së Veronës e Viçencës, me të cilat ne kemi marrëdhënie tregtare e kompani të përbashkëta publike për të pastruar më mirë qytetin, por edhe qytete të tjera të jenë pjesë e këtij rrjeti,” u shpreh Veliaj pas takimit me kryetarin e bashkisë së Vicenzës, Francesco Rucco.

Kryebashkiaku i Viçencës, Francesco Rucco, u shpreh i gatshëm për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin lokal mes dy vendeve.

“Sigurisht, do kem rastin për të vizituar dhe për të parë se si Tirana ka ndryshuar falë kryebashkiakut përgjatë këtyre viteve, e po ashtu do tentojmë të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në aspektin industrial, pasi shoqëritë tona janë shoqëri të shëndosha, që punojnë mirë. Kjo është edhe një mundësi që të dy qytetet, Vicenza dhe Tirana, të mund të bashkëpunojnë për Kryeqytetin e Rinisë, akoma më mirë se me Kryeqytetin e Kulturës, ku jemi pjesëmarrës dhe kemi një shkëmbim kulturor mes dy realiteteve, që janë shumë afër dhe që kanë ndihmuar njëra-tjetrën edhe në momente të vështira. Dua të kujtoj se populli shqiptar i ka ardhur në ndihmë Italisë, përgjatë momentit më të vështirë të Covid në disa qytete italiane dhe kjo nuk mund të harrohet,” u shpreh Rucco.

Veliaj u ndal edhe në markatën e qytetit të Veronës, për të cilën tha se do jetë një pikë referimi për tregun e madh agroushqimor që bashkia e Tiranës po hap në Farkë.

“Një projekt të ngjashëm po bëjmë në Farkë. Tashmë, kemi marrë tokën, kemi filluar edhe garën dhe duam të mësojmë nga më të mirët. Ne kemi produkte të jashtëzakonshme në të gjithë luginën e Erzenit përreth Tiranës, por shumë prej fermerëve tanë detyrohen t’i shesin nën kosto në pikat private të grumbullimit. Ashtu siç kemi bërë edhe me pastrimin dhe parkimin e qytetit, edhe tregu i shumicës synon të lehtësojë jetën e fermerëve tanë të vegjël dhe të sigurohemi që ekonomia e qytetit dhe pjesës urbane të tij të ndihmojë gjithashtu edhe pjesën e qytetit të Tiranës së madhe,” u shpreh Veliaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.