Stoku i kredive me probleme ra me 5 miliardë lekë

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Cilësia e kredisë është përmirësuar dukshëm dhe rreziku i kredisë ka ardhur në rënie gjatë gjysmës së parë të viti 2021.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, raporti i kredive me probleme (RKP) ra me 1 pikë përqindjeje gjatë periudhës, në 7.1 %, që është niveli më i ulët që prej vitit 2009.

Në krahasim me një vit më parë, cilësia e kredisë është përmirësuar kryesisht për kredinë me maturitet afatmesëm, kredinë për bizneset dhe kredinë në valutë. Rënia në RKP është ndikuar jo vetëm nga tkurrja në stokun e kredive me probleme, por edhe nga rritja e stokut të përgjithshëm të kredisë.

Sipas BSH-së, gjatë periudhës, stoku i kredive me probleme ra me 5 miliardë lekë, në nivelin 45  miliardë lekë. Në pakësimin e stokut të kredive me probleme, sipas masës së kontributit, kanë ndikuar rritja e masës së shlyerjeve në dy klasat e para të kredive me probleme, ristrukturimi i një pjese të kredive me probleme, dhe fshirja e kredive të humbura nga bilancet e bankave.

Ndërkohë që prurjet e reja në klasat e kredive me probleme ranë me 70 % gjatë 6-mujorit të parë 2021.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.