Shkolla e rilindur “Korb Muça” në Qerekë të Krujës, gati të presë 210 fëmijë

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Rreth 210 fëmijë do të mësojnë këtë vit të ri shkollor në shkollën e rilindur “Korb Muça”, në Qerekë të Krujës.

Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi publikoi sot pamje nga ambientet e reja të kësaj shkolle, pjesë e programit EU4Schools të financuar nga Komisioni Evropian me zbatim nga UNDP.

“Një tjetër shkollë e rilindur në Qerekë të Krujës, që pret 210 fëmijë me hapësira të reja pa asnjë dallim nga shkollat e kopshtet europiane ku mësojnë bashkëmoshatarët e tyre”, – tha Bushi.

Kjo shkollë ka 10 klasa, 3 laboratorë, palestrën dhe terrenet sportive, dhomën e psikologut. Godina e shkollës është ndërtuar me standardet e Eurocode 8 dhe Building Back Better.

Shkolla e re, është më afër fshatit, duke mundësuar vajtjen e kthimin e nxënësve pa u shoqëruar nga prindërit dhe duke kursyer transportin.

Vendndodhja e shkollës së re garanton siguri, mjedis të shëndetshëm mes gjelbërimit. Mjediset e saj do të përdoren nga i gjithë komuniteti për aktivitete sportive e kulturore, ndërsa biblioteka për lexim. Laboratorët e pajisur me mjetet mësimore do të rrisin cilësinë e mësimdhënies.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.