Shkolla “Bilal Golemi” në Gjirokastër, mjedise sportive të reja për rreth 120 nxënës

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Në nisje të vitit të ri mësimor shkolla “Bilal Golemi”, në njësinë administrative Cepo, bashkia Gjirokastër, ka mjedise të reja sportive, në shërbim të fëmijëve dhe komunitetit të zonës.

Bashkëpunimi i bashkisë Gjirokastër me organizatën “Save the Children”, mundësoi ndërtimin e dy fushave të sportit dhe pajisjen e shkollës me mjete sportive, duke i shërbyer rreth 120 nxënësve të kësaj shkolle.

Kryetari i bashkisë, Flamur Golemi u shpreh në ceremoninë e përurimit se “mjediset e reja i shërbejnë argëtimit të nxënësve, evidentimit të talenteve të reja në sport dhe organizimit të aktiviteteve nga vet komuniteti i zonës”.

“Bashkia Gjirokastër do të vazhdojë të mbështesë me investime institucionet arsimore sepse çdo investim për shkollën dhe për fëmijët nuk është asnjëherë i çuar dëm”, – tha Golemi.

Drejtoresha e “Save the Children”, Anila Meço, tha se “në disa shkolla të vendit është duke u zbatuar projekti “Gol për edukimin”, i cili promovon rëndësinë e sportit në zhvillimin dhe mirëqënien e fëmijëve”.

Në nisje të vitit të ri arsimor 2021-2022 bashkia Gjirokastër ka ndërhyrë për rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të institucioneve arsimore dhe shkollave.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.