Shërbimet dhe bujqësia angazhojnë numrin më të lartë të të punësuarve

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Sektori i shërbimeve dhe ai bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43,4 % dhe 36,1 %, ndërsa punësimi në industri përbën 20,5 % të të punësuarve gjithsej në vitin 2020.

INSTAT publikoi së fundmi raportin “Shqipëria në shifra”, sipas të cilit shkalla e punësimit për meshkujt 15-64 vjeç në vitin 2020 ishte 67,8 %, ndërsa për femrat 53,6 %, me një hendek gjinor në punësim prej 14,2 %.

Sipas INSTAT-it, një pjesë e konsiderueshme e femrave në moshë pune punojnë si punëtore pa pagesë në biznesin e familjes, kryesisht në fermat bujqësore.

Në raport thuhet se femrat kanë 1,4 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Konkretisht 27 % e femrave të punësuara janë punëtore pa pagesë në biznesin familjar, kundrejt 15,5 % të meshkujve të punësuar.

Ndërsa përqindja e punësimit informal në sektorin jobujqësor është 29,1 %, duke pësuar një rënie me 0,9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.