Samiti i OKB për sistemet ushqimore, Krifca: Marka shqiptare, konkurruese

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres çel sot Samitin e Sistemeve të Ushqimit për të rritur ndërgjegjësimin, angazhimet dhe veprimet globale për transformimin e sistemeve ushqimore, në zgjidhje jo vetëm të urisë, por edhe në zvogëlimin e sëmundjeve të lidhura me dietën, dhe në mbrojtje të planetit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, do të flasë në këtë samit për objektivat e sistemit shqiptar ushqimor.

“Me krenari do të përmend se falë vëmendjes ndaj produkteve të rritura nën përkujdesjen e fermerëve tanë, eksportet dhe marka “Made in Albania”, po kthehet në faktor konkurrues në tregjet ndërkombëtare”, shprehet Krifca.

Samiti i OKB për Sistemet Ushqimore do të shërbejë si një mundësi historike për të fuqizuar të gjithë njerëzit që të përdorin fuqinë e sistemeve ushqimore për të nxitur rimëkëmbjen tonë nga pandemia COVID-19 dhe të na kthejnë në rrugën e duhur për të arritur të 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) deri në vitin 2030.

Shqipëria, përmes Dialogjeve Kombëtare, është konsoliduar në vizione të qarta se çfarë presin qeveritë, së bashku me aktorë të ndryshëm nga sistemet ushqimore deri në vitin 2030. Rezultatet e Dialogjeve Kombëtare kishin për qëllim të informonin rrugët kombëtare drejt sistemeve të qëndrueshme ushqimore. Dokumenti i rrugës paraqet vizionin dhe strategjinë e sistemeve ushqimore të kombit dhe mund të shërbejë si pika referimi në të gjithë qeverinë dhe për të gjithë aktorët në vitet e ardhshme.

Faktorët të rëndësishëm që duhen marrë parasysh artikulojnë: (I) qëllimet e sistemeve ushqimore aktuale, (II) pritshmëritë e sistemeve ushqimore kombëtare në dekadën e ardhshme, (III) ndryshimet që duhen bërë dhe vendimet që duhet të zgjidhen në tre vitet e ardhshme, (IV) sesi palët e interesuara mund të punojnë mirë së bashku për veprime kolektive, (V) theksimi dhe përfocimi në lidhje me dokumenta të tjera planifikimi, dhe (VI) çështjet kyçe përgjatë afatit kohor të shtegut.

Dialogët kombëtarë u mbështetën nga ekipi vendor i OKB -së në Shqipëri i udhëhequr nga FAO dhe dokumenti i përgatitur nga qeveria shqiptare me mbështetjen e konsulentëve të OKB -së në bashkëpunim me FAO.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.