Rihapet “Gërdeci”, apeli i GJKKO-së pranon ankimimin e SPAK për Fatmir Mediun

TIRANË 24 shtator /ATSH-I.Vata/ Apeli i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda për rihapjen e hetimeve.

Vendimi është marrë në apelin e GJKKO, e cila ka rrëzuar një vendim të mëparshëm të Shkallës së Parë.

GJKKO në një vendimmarrje të datës 27 korrik refuzoi kërkesën e SPAK për të rihapur hetimet për Fatmir Mediun, ministër i Mbrojtjes në kohën kur ndodhi shpërthimi në Gërdec.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, thuhet në vendimin e marrë sot nga Apeli i GJKKO.

Sipas vendimit të GJKKO të shkallës së parë prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t’u hetuar dhe vepra është parashkruar.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.