Përkujtohet në 106-vjetorin e ndarjes nga jeta, Dedë Gjo Luli

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Më 24 shtator 1915 u nda nga jeta Dedë Gjo Luli, prijësi legjendar që u rreshtua krahë heronjve të shquar të kombit tonë.

Dedë Gjo Luli kujtohet sa herë që sjellim ndërmend përpjekjet dhe luftrat që janë bërë për pavarësinë e vendit nga Turqia dhe ruajtjen e trojeve shqiptare nga “orekset” e fqinjëve.
Emri i Dedë Gjo Lulit është mishërim i betejave të mëdha të shqiptarve për liri e pavarësi. Kujtojmë se betejat më të njohura janë ato që u zhvilluan në Deçiç me 6 dhe 22 prill dhe 3 maj 1911, ku u ngrit për herë të parë dhe flamuri shqiptar me shqiponjën e zezë dykrenare.

Ai mori pjesë si luftëtar në Vraninë, si komandant në Lidhjen e Prizerenit dhe si prijës e valvitës i flamurit të Skënderbeut në Bratile të Deçiçit, në kryengritjen heroike të malësorëve në vitin 1911 (e cila u shoqërua me programin e pavarësisë kombëtare të Greçës më 23 qershor të po atij viti).

Për Dedë Gjo Lulin, Shqipëria ishte mbi të gjitha. Kështu deklaroi Presidenti i Republikës Bujar Nishani në vitin 2015 kur e nderoi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

Dedë Gjo Luli lindi në vitin 1840 dhe sot në Tiranë ka një bust në nder të tij dhe emrin ia “trashëgojnë” shkolla e rrugë. Dedë Gjo Luli ishte atdhetari i shquar dhe prijës i lufës për liri dhe pavarësi.

Arkivi Qendror Shtetëror publikoi sot foto nga ceremonia e sjelljes së eshtrave të Heroit të Popullit në Shkodër.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.