Mbi 18,4 miliardë lekë të ardhura nga pushteti vendor gjatë 8 muajve

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Gjatë 8 muajve të parë të këtij viti të ardhurat nga pushteti vendor llogariten 18,4 miliardë lekë.

Të ardhurat nga pushteti vendor përbëhen nga tre zëra kryesorë: të ardhurat nga taksa e pasurisë, taksa mbi biznesin e vogël dhe taksat lokale.

Nga taksat lokale të ardhurat gjatë 8 muajve të parë të vitit llogariten 13,5 miliardë lekë nga 12,2 miliardë lekë që u mblodhën gjatë 8-mujorit të parë të 2020-ës.

Sipas raportit mbi treguesit fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë llogariten 4,4 miliardë lekë, nga 4 miliardë lekë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Nga taksa mbi biznesin e vogël u mblodhën 345 milionë lekë në buxhet nga 334 milionë lekë që u mblodhën në 2020-ën.

Ndërkohë, qeveria planifikon që gjatë vitit 2021 të ardhurat nga pushteti vendor të arrijnë në 25,4 miliardë lekë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.