Hapet për qarkullimin e mjeteve aksi kryesor nga Ura e Lanës deri te Pallati me Shigjeta

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Hapet për qarkullimin e mjeteve aksi kryesor nga Ura e Lanës deri te Pallati me Shigjeta.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot se, “duke filluar nga orët e para të mëngjesit të datës 26.09.2021 automjetet që do të vijnë nga autostrada Durrës-Tiranë, pas daljes nga Galeria 5, do të devijojnë majtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës kryesore majtas Loti 2, duke shmangur kështu rrethin provizor tek “O-Zone” e duke vazhduar më pas pa ndërprerje drejt “Pallatit me Shigjeta”.

“Për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” për një periudhë 2-javore nuk do të kenë ndryshime në qarkullim, pas kësaj periudhe, do të kanalizohen në rrugën e re paralele të krahut të djathtë”, thekson ARRSH.

ARRSH kërkon mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.