GJERMANI – Merkel: Votoni për Armin Laschet që Gjermania të mbetet e qëndrueshme

MYNIH, 24 shtator /ATSH-AFP/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel u bëri thirrje sot votuesve të votojnë për Armin Laschet, kandidatin konservator të partisë së saj, CDU, në mënyrë që Gjermania të mbetet e qëndrueshme, dy ditë para votimit legjislativ që pritet të caktojë pasardhësin e saj në krye të vendit.

“Që Gjermania të mbetet e qëndrueshme, Armin Laschet duhet të bëhet kancelar federal”, tha Merkel në një takim të partisë së saj në Mynih, para zgjedhjeve të së dielës, që paralajmërojnë një garë të ngushtë midis favoritit socialdemokrat dhe rivalit të tij të krahut të djathtë.

“Çështja se kush qeveris Gjermaninë nuk është pa rëndësi”, shtoi ajo, duke paralajmëruar kundër skenarit të fitores së kandidatit socialdemokrat, Olaf Scholz, aktualisht në krye të sondazheve.

Ndër opsionet e mundshme për një koalicion të ardhshëm, nuk përjashtohet një aleancë “kuqezi-jeshile”, midis kandidatit socialdemokrat të SPD-së, partisë radikale të majtë Die Linke dhe të Gjelbërve.

Kancelarja kritikoi veçanërisht rritjen e taksave të planifikuara nga kandidati socialdemokrat, duke përmendur frikën se kjo lëvizje do t’i çonte kompanitë gjermane në Austri ose Holandë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.