Zgjedhja e Shqipërisë në KS, Xhaçka: Mirënjohje mbështetjes nga Mbretëria e Bashkuar

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin Special të Mbretërisë së Bashkuar, Lord Ahmad i Wimbledon.

Ministrja Xhaçka falënderoi Lord Ahmad për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka treguar në zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Kryediplomatja shqiptare vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve në organizata ndërkombëtare, si dhe konfirmoi gatishmërinë për të punuar së bashku mbi prioritet e përbashkëta.

“Takim konstruktiv me Përfaqësuesin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord Ahmad i Wimbledon, ku diskutuam mbi përgatitjet e Shqipërisë për Këshillin e Sigurimit.

Mirëpresim bashkëpunimin për prioritetet e përbashkëta të ndërtuara në traditën e gjatë të partneritetit dhe miqësisë të dy shteteve”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.