Veliaj takon këngëtaren Elhaida Dani dhe ikonën e muzikës italiane, Riccardo Cocciante

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në zyrën e tij këngëtaren Elhaida Dani, së bashku me ikonën e muzikës italiane Riccardo Cocciante.

Veliaj uroi artisten e mirënjohur shqiptare për albumin më të ri në treg ZanIN, të cilin këngëtarja Dani sapo e lançoi së bashku me të madhin Cocciante.

“Faleminderit Riccardo Cocciante dhe Elhaida Dani për surprizën e mrekullueshme! Shumë urime për ZanIN tënd. I sigurt se do të jetë një sukses, si çdo punë e jotja”, u shpreh  kryebashkiaku.

Këngëtarja shqiptare e cila njihet si fituese e “The Voice of Italy” në vitin 2013 dhe përfaqësuese e Shqipërisë në “Eurovision” në vitin 2015, ka publikuar albumin e saj më të ri muzikor ”ZanIN” i cili përfshin pesë këngë: “Jam Betu”, “Amore”, “Kënga Jonë”, “Hajmali” dhe kënga me të njëjtin titull si albumi, “ZanIN”.

Secila këngë është publikuar edhe me videoklip.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.