Rushaj: Puna online e komisioneve parlamentare, në kundërshtim me Kushtetutën

TIRANË 23 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj e ka konsideruar zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve online në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe të vetë Kushtetutës.

Pas miratimit në Kuvend të komisioneve të përhershme, Rushaj tha se mbledhjet e komisioneve online janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me neni a/5 rregullores së Kuvendit. Sipas tij, u mor një vendim “në gjykimin tonë i pavlefshëm që kufizon apo vendos që puna e komisioneve parlamentare të bëhet online”.

“Rregullorja është e qartë kur janë rastet, ku në Kuvend Komisionet Parlamentare mund të zhvillohen online. Janë rastet e masave të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore. Në bazë të nenit 170 të Kushtetutës të gjitha këto gjendje shpallen në një mënyrë të caktuar. Gjatë këtyre gjendjeve të masave të jashtëzakonshme Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë kufizimet dhe organet që kanë të drejtë t’i imponojnë këto kufizime. Ne sot nuk jemi në asnjë nga këto gjendje formale dhe juridike që përcaktojnë Kushtetuta dhe rregullorja për të kufizuar punën e komisioneve parlamentare”, tha ai.

Po ashtu, Rrushaj theksoi se e vetmja arsye që bëhet është për të kufizuar parlamentarizmin për ta çuar atë drejt asgjësimit.

“Nëse ju jeni komodë që deputetët mos ushtrojnë përgjegjësitë e tyre dhe këtë e bëni në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe ligjet, ne nuk e pranojmë. Prandaj kërkoj që ai vendim i paligjshëm që u mor në Konferencën e Kryetarëve të mund të hidhet poshtë dhe të vazhdohet në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.