Pika e re e grumbullimit bujqësor në Borsh, impakt në ekonominë lokale

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Vitet e fundit sezoni i mbarë për prodhimet bujqësore, për shkak të motit, investimeve në zgjerimin e sipërfaqeve me serra, por dhe rritjes së konsumit të prodhimit vendas, ka shtuar interesin për shtimin e tregjeve bujqësore në rajone të ndryshme të vendit.

Prodhuesit, përpunuesit dhe eksportuesit shprehen se bujqësia po orientohet drejt tregut dhe investimet në qendrat e grumbullimit apo merkatot e shitjeve me shumicë po avantazhojnë zhvillimin e këtij sektori duke nxitur agroturizimin dhe ekonominë lokale.

Me një fond mbi 8 milionë lekë, bashkia e Himarës ka shpallur tenderin për ndërtimin e qendrës së re të tregut të prodhimeve bujqësore në Borsh.

“Ky objekt do të grumbullojë shitësit ambulantë, do të ulë problematikat e gjetjes së vendeve të shitjes dhe do të rregullojë çmimet e tregut. Gjithashtu, banorët e zonës por jo vetëm, turistët dhe vizitorët e ndryshëm do të mund të kenë një vend ku të shohin produktet e larmishme vendase me çmimet përkatëse”, thuhet në dokumentin që shoqëron këtë projekt.

Pikat e grumbullimit apo tregjet bujqësore, shoqëruar edhe me kapacitete frigoriferike u vijnë në ndihmë fermerëve të zonës për shitjen e prodhimeve, duke u garantuar atyre çmime optimale si edhe duke furnizuar tregun vendas me fruta të freskëta në çdo stinë, falë mbajtjes së tyre në atmosferë dinamike gjatë cikleve të prodhimit.

Ndërtimi i tregut të ri bujqësor në Borsh, do të jetë një vlerë e shtuar edhe për sektorin e turizmit me impakt të ndjeshëm në përmirësimin e ekonomisë së fermerëve por edhe të ekonomisë lokale, për shkak të fluksit të lartë të turistëve dhe pushuesve që frekuentojnë zonën e mrekullueshme të Borshit, veçanërisht gjatë sezonit veror.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.