ONM mbështet zgjatjen e afatit kushtetues të institucioneve të Vetingut

TIRANË 23 shtator /ATSH-I.Vata/ Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, institucioni që monitoron procesin e Vetingut në Shqipëri, është dakord që Parlamenti të zgjasë afatet kushtetuese të organeve të Vetingut, për të bërë të mundur vijimin e procesit pa pengesa.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit në një prononcim për mediet ka deklaruar se është e nevojshme një zgjatje e kufizuar kohore e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerëve Publikë.

ONM thekson se është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një zgjatjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me palët e interesuara përkatëse, përfshirë Komisionin e Venecias.

“ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të gjitha rastet e verifikimit në pritje të përfundojnë në periudhën më të shkurtër të mundshme, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar kohore e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publik. Kjo do t’i lejojë dy organet të përfundojnë të gjitha rastet në të cilat ka filluar hetimi. Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një zgjatjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me palët e interesuara përkatëse, përfshirë Komisionin e Venecias”, thuhet në deklaratën e ONM-së për televizionin ABC.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.