Noka: Kuvendi do mblidhet, Basha nuk përfaqëson shumicën

TIRANË 23 shtator /ATSH-I.Vata/ Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi sot se Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mblidhet dhe nuk mblidhet për të shqyrtuar asnjë vendim të Shteteve të Bashkuara, por kundër Bashës.

Në një prononcim për mediet, Noka tha se Kuvendi Kombëtar i PD-së mblidhet për të shqyrtuar jo ndonjë vendim të Shteteve të Bashkuara, sepse vendimet e SHBA-së i gjykojnë institucionet e saj, por ky Kuvend do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kryetarit të PD-së i cili tashmë, sipas tij, është minorancë ilegjitime dhe nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së anëtarëve të Partisë Demokratike.

“Basha ka zhvilluar një tur takimesh me drejtuesit e degëve duke i thirrur, duke bërë presion, ushtruar shantazh për të mos hapur dyert për liderin historik për të bërë gjithçka për t’ia sabotuar takimet. Kjo nuk është vetëm e turpshme, por është e neveritshme. Kjo tregon edhe panikun që ka zënë kryetarin nga lëvizja e demokratëve. Ai e di shumë mirë se nuk përfaqëson shumicën dhe vullnetin e demokratëve, është pakicë e pakonsiderueshme brenda PD-së”, u shpreh Noka.

I pyetur nëse i druhet përjashtimit nga Lulzim Basha, Noka tha se ka 30 vite në PD.

“Unë jam angazhuar në politikë për të kontribuar për vendin tim për të ardhmen e këtij vendi. Ajo që më dhemb më shumë mua është fati i PD-së, fati i demokracisë në Shqipëri sepse Basha me atë vendim përçau PD dhe i dha një goditje fatale partisë. I vetmi njeri që është i gëzuar nga kjo vendimmarrje është Edi Rama”, tha Noka.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.