Ndryshimet kushtetuese për Vetingun, Gjiknuri: Të gatshëm për dialog me PD

TIRANË 23 shtator /ATSH-I.Vata/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri shprehu gatishmërinë për dialog me Partinë Demokratike në lidhje me ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, KPK dhe Komisionerit Publik.

Në një prononcim për mediet nga Shkodra, ku prezantoi drejtuesen politike të qarkut, Edona Bilali, Gjiknuri tha se “ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të dialogojmë me PD”.

“PS dhe kryeministri Rama e ka thënë edhe në Kuvend gjatë miratimit të programit të qeverisë që ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të dialogojmë me PD. Dialogimi nuk bëhet me diplomacinë e megafonit, as me deklarata për shtyp. Dialogimi bëhet që të ulemi në tryezë siç kemi bërë me Reformën Zgjedhore më parë, siç kemi bërë me reforma të tjera. Ne jemi të gatshëm dhe Kryeministri e tha se pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që kemi qoftë për Reformën në Drejtësi, qoftë për Reformën Territoriale apo edhe për probleme të Reformës Zgjedhore nëse ata duan të adresojnë këto çështje, e mira është edhe një dialog që zhvillohet në institucione. Tashmë PD është në institucione dhe ne e mirëpresim në çdo kohë. Për përmbajtjen është shpejt të flasim, sepse ai është produkt i tryezave të përbashkëta”, tha ai.

Për sa i përket përballjes Basha-Berisha, Gjiknuri tha se nuk dëshiron të futet në akuzat që kanë ata me njëri-tjetrin.

“Ky është një problem i tyre i brendshëm. PS është e gatshme të dialogojë me PD-në zyrtare, kushdo që merr përsipër ta përfaqësojë dhe që do të shprehë interesat e demokratëve për ato ndryshime që ata mendojnë të nevojshme. Por negociatat dhe politikëbërja zhvillohet në institucione dhe ne jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë me ta”, tha ai.

Gjiknuri ishte në Shkodër në kuadër të turit të prezantimeve të drejtuesve të rinj të qarqeve. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka prezatuar Edona Bilalin si drejtuese të qarkut Shkodër.

Gjatë mbledhjes Gjiknuri u shpreh se është koha për të bërë një analizë të thellë dhe të saktë të rezultatit zgjedhor në të gjithë vendin, e veçanërisht në Shkodër dhe se harmonizimi i tre komponentëve kryesorë, siç janë partia deputetët dhe pushteti vendor është kyçi për arritjen e objektivave në zgjedhjet e ardhshme.

Pas përfundimit të takimit, interesit të medieve Gjiknuri u shpreh se, “jam i bindur se me eksperiencën e krijuar këtë fushatë, Edona do dijë të promovojë vlerat e çdo shkodrani”.

“Partia Socialiste ka hyrë në një proces analize elektorale që do t’i shërbejë riorganizimit të familjes sonë politike. Ne jemi një parti që nuk presim zgjedhjet, por gjithë kësaj kohe do i nënshtrohemi riorganizimit për të qenë gati për zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme”, tha Gjiknuri.

Ndërsa drejtuesja politike e qarkut të Shkodrës, Edona Bilali gjatë prononcimit të sa për mediet u shpreh se, “është përgjegjësi shume e madhe për mua të drejtoj qarkun e Shkodrës. Është një sfidë të cilën duhet ta përballojmë. Dera e Partisë Socialiste në Shkodër është gjithmonë e hapur. Ftoj këdo të ri që kërkon të kontribuojë për qytetin e Shkodrës, të na bashkohet”.

Në këtë prezantim Sekretari i Përgjithshëm shoqërohej dhe nga Sekretari Organizativ, Blendi Klosi.

Gjatë fjalës së tij Klosi u shpreh se në Shkodër duhet të punojmë shumë me qytetin.

“Tani kemi dhe eksperiencën e nevojshme dhe qartësinë se ku është gara dhe si fitohet. Dekoratat janë vetëm një ditë, 26 ishin këtë herë, të nesërmen filloi puna. Si Sekretariat do përpiqemi të bëjmë një analizë të plotë, për gjithë Shqipërinë dhe mbi atë analizë të punojmë për garën e ardhshme elektorale”, tha Klosi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.