Ndryshime në rregulloren e Kuvendit, Balla: Kemi propozuar 12 komisione të përhershme parlamentare

TIRANË 23 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se ka marrë dakordësinë e opozitës për të shtuar nga 8 në 12 komisionet e përhershme parlamentare.

Në një deklaratë për mediet pas mbarimit të seancës së Kuvendit, Balla deklaroi se ashtu siç edhe ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në Kuvend, “dora jonë do të vazhdojë të jetë e shtrirë për PD-në”.

“Gatishmëria ime për bashkëpunim me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së Alfred Rushaj është që ne të ulemi. Ne sot kemi rënë dakord në Konferencë të Kryetarëve me Rushajn, me opozitën që të fillojmë punën për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit për të lehtësuar punën e komisioneve”, tha Balla.

“Propozimi im është se 8 komisione janë shumë pak për të kryer një punë shumë më efektive të Kuvendit në komisione. Mundet të shkojmë në 12 komisione të përhershme parlamentare. Jo vetëm do të ulte numrin e anëtarëve në komisione, por do bënte më efektive punën e anëtarëve të komisionit. Unë e kam një propozim, e kam edhe më të detajuar propozimin si ndahen. Për shembull, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka një punë shumë të madhe dhe ai mund të ndahet në disa komisione, një për energjinë, një për transportin dhe telekomunikacionin, një për Shqipërinë digjitale që do të jetë një prej sfidave ku dhe Kuvendi duhet të marrë pjesën e vet, por dhe natyrshëm një për bujqësinë dhe mjedisin. Këto janë diskutime që do të vazhdojnë, kam marrë dakordësinë e opozitës”, theksoi Balla.

Ai shtoi se Kuvendi ka hyrë tashmë në atë normalitetin e vet, ndërkohë që opozitës “duhet t’i them qartë se dhe mënyra e zhvillimit të punës në komisione është diskutim që do vazhdojmë në vijim. Komisioni i Ligjeve është një komision me 26 anëtarë dhe nëse fusim dhe deputetë të tjerë bëhet shumë, por do të gjejmë hapësirat”.

Në lidhje me kundërshtitë e opozitës për komisionet online, Balla tha sot se vendimi i Konferencës së Kryetarëve nuk ka asnjë përpjekje për të vrarë parlamentarizmin, apo për të mos i dhënë hapësirë opozitës.

“Natyrshëm do të ketë komisione që do të vijojnë punën online, po aq natyrshëm do ketë mbledhje të komisioneve që do të shfrytëzojnë dy sallat e vetme që plotësojnë kriteret e nevojshme për të zhvilluar një mbledhje komisioni me distanca, brenda edhe asaj që kemi në sallën e Kuvendi. Si e tillë opozita të gjejë arsyet të tjera për t’u shqetësuar po jo këtë arsye”, tha Balla.

“Pra, bie fjalë në momentin e shqyrtimit të buxheti nga Komisioni përgjegjës, siç është ai i ekonomisë, mbledhja do jetë sipas formatit tradicional. Në rast të seancave të rëndësishme dëgjimore, mbledhjet do të zhvillohen o në sallën e byrosë apo grupeve parlamentare, por në një punë normale sikurse zhvillohet në Parlamentin e BE-së atë po bën edhe Kuvendi i Shqipërisë. Ajo që ne ramë dakord është vaksinimi i të gjithë deputetëve të Kuvendit. E kam propozuar në Konferencë të Kryetarëve. Mbledhjet e komisioneve do të vazhdojnë edhe në mënyrë tradicionale edhe online dhe për këtë kemi rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve. Nuk ka asnjë përpjekje për të vrarë parlamentarizmin për mos i dhënë hapësirë opozitës”, tha Balla.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.