Mbështetja e AZHBR-së, ferma blegtorale në Vaun e Dejës teknologji inovative në mjelje

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Emanuela Gjondrekaj, prej 11 vitesh punon në fermën blegtorale të Marjanës gjendur në Konaj të Vaut të Dejës.
Ajo tregon se fillimisht aktivitetin në fermë e nisi me 10 krerë lopë, ndërsa sot ka në fermën e saj mbi 200 krerë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, solli shembullin e saj në vazhdën e historive të suksesit që kanë krijuar tashmë edhe shumë fermerë të tjerë në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, falë mbështetjes nga qeveria dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
“Ferma është një prej investimeve të reja me standarde evropiane në teknologji inovative për sistemin e mjeljes, sistemit që jep informacion për mirëqënien e kafshëve në kohë reale, mbështetur nga AZHBR, e prodhon qumështin më shpejt dhe me cilësi e siguri ushqimore siç i nevojitet përpunuesit dhe tregut”, u shpreh Krifca.
Ministrja vuri në dukje se “është ofruar mbështetje që i shërben zhvillimit, por dhe sigurisë ushqimore”.
Blegtoria është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë rurale. Krahas granteve që u ofron qeveria përmes programit IPARD, blegtorët janë tashmë prej disa vitesh përfitues të mbështetjes financiare edhe nga Skema Kombëtare.
62,6 % e fermerëve në 12 qarqet e vendit aplikuan në Skemën Kombëtare të mbështetjes për Bujqësinë 2021, për të përfituar subvencione në blegtori.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.