Komisionet online, Bardhi: Akt për t’i mbyllur gojën opozitës

TIRANË 23 shtator /ATSH-I.Vata/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me vendimin e Konferencës së Kryetarëve për vazhdimin e punës së komisioneve online.

Në një deklaratë për mediet, Badhi e konsideron vendimin në Konferencën e Kryetarëve në kundërshtim me rregulloren dhe si një mënyrë për t’i mbyllur gojën opozitës.

“Në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës dua të informoj opinionin publik mbi një akt të paprecedent të pakicës që ka uzurpuar parlamentin në Konferencën e Kryetarëve për t’i mbyllur gojën opozitës. Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të masave të jashtëzakonshme mund të zhvillohen mbledhje online të komisioneve. Mbledhjet e komisioneve parlamentare janë shumë herë më të rëndësishme sesa seancat plenare, nëse Parlamenti funksionon në një shtet demokratik. Gjatë gjithë këtyre 8 viteve ne kemi parë një Parlament që është noter i akteve korruptive të qeverisë. Prandaj dhe vendimmarrja për t’i mbyllur gojën opozitës, për t’iu fshehur opinionit publik, mes seancave qesharake online të komisioneve ka synimin e vetëm për t’i ikur përgjegjësisë mbi debatin, diskutimin mbi të gjitha aktet korruptive që qeveria sjell në Parlament. Pa diskutim që kjo është e papranueshme për opozitën. Ju keni raportuar sot, ne jemi mbledhur 140 deputetë në sallën e seancave plenare. Para dy ditësh në sallë, njësoj si ato të komisioneve parlamentare, është mbledhur Këshilli i Ministrave, qeveria është mbledhur fizikisht në mbledhje. Atëherë pse do të duhet që komisionet parlamentare të mos mblidhen sipas kushteve të përcaktuara nga Kuvendi i Shqipërisë, fizikisht dhe jo në mbledhje online?”, u shpreh ai.

Bradhi tha se “unë kam konsultuar të tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës. Gjatë ditës së sotme ose gjatë ditës së nesërme ne do të zhvillojmë një mbledhje të përbashkët të tre grupeve parlamentare”.

“Vendimi është i papranueshëm, është mungesë e plotë transparence dhe ka si qëllim t’i fshihet syve të opinionit publik, e përsëris, mbi akte korruptive të qeverisë për ta trajtuar ashtu siç kanë bërë këto 8 vite parlamentin si noter të këtyre akteve korruptive”, tha Bradhi.

Në lidhje me pyetje se a do të bashkëpunoni me maxhorancën sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe reformës territoriale, pas ftesës nga Gjiknuri, Bardhi tha se së pari, duhet të fokusohemi tek kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur sot në Konferencën e Kryetarëve.

“Secili prej nesh mund të kryejë reforma që i shërbejnë qytetarëve dhe interesit të qytetarëve. Në një parlament ku në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit synohet t’i iket syve të publikut, t’i shmangesh transparencës dhe t’i mbyllësh gojën opozitës, pa diskutim që nuk mund të flitet për bashkëpunim, qoftë ky edhe institucional”, tha ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.