Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores së Lushnjës, Natasha Prifti (Shallapi)

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Komisioneri Publik i kërkoi sot Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen dhe të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Natasha Prifti (Shallapi).

Komisioneri Publik brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Natasha Prifti (Shallapi), prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.

Pasi shqyrtoi dhe vlerësoi vendimin dhe aktet shoqëruese të tij, bazuar në Rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Komisioneri Publik çmon se vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Mbështetur në rregulloren e Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi bashkë me Rekomandimin e ONM-së janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të Kushtetutës dhe ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.