Investime për stabilizimin e rrëshqitjeve në aksin Hani i Hotit-Tamarë

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar po kryen ndërhyrje për stabilizimin e rrëshqitjeve në aksin rrugor Hani i Hotit-Tamarë.

Sipas ARRSH-së, në segmentin Hani i Hotit-Tamarë po punohet për mbrojtjen nga rënia e shkëmbinjve dhe gurëve të shkëputur nga shkëmbi, të cilët rrezikojnë përdoruesit e rrugës.

“Ndërhyrjet do të stabilizojnë këto rrëshqitje dhe do të rrisin sigurinë rrugore në këtë segment”, bën të ditur ARRSH.

Për vitin 2021 janë planifikuar 3.4 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.
Përmes këtyre investimeve synohet rritja e sigurisë rrugore në të gjitha akset kombëtare me qëllim uljen e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 25 %, sipas Strategjisë Kombëtare të Transportit.

Deri në vitin 2022 qeveria parashikon ndërhyrjen në 3483 km rrugë sipas standardeve në të gjithë territorin.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.