Fishta kthehet për herë të parë në Akademinë e Shkencave si poet mendimtar e albanolog

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Në 150-vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës, Akademia e Shkencave organizoi sot konferencën shkencore ad honorem, “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”.

 

Në këtë konferencë morën pjesë, monsinjor Gjergj Meta, Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë; Padre Jerome Ndo Mih, president i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, akademikë, profesorë, studiues, etj.

Konferenca u zhvillua në dy seanca. Seancën e parë e drejtuan akad. Shaban Sinani, prof. dr. Mimoza Priku, prof. dr. Bajram Kosumi dhe seancën e dytë e drejtuan akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj, prof. asoc. dr. Monika Hasani, prof. dr. Valter Memishaj.

Fjala e hapjes u mbajt nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave. Ai e vlerësoi si figurë mbizotëruese për botën albanologjike të kohës që jetoi në tërësi.

“Gjergj Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj; delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes të Versajës (1919), me një rol të dallueshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare; nënkryetar i Këshillit Kombëtar të dalë nga aktet e Kongresit të Lushnjes më 1921; mbështetës i lëvizjes demokratike që kryesohej nga Noli dhe Gurakuqi, model oratorie në fjalën përcjellëse të Avni Rustemit; mik letërsie dhe njerëzie me Lasgushin dhe Asdrenin; deputet e gojëtar që ka lënë gjurmë në historinë e parlamentarizmit shqiptar; nxitës prej më të parëve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Amerikën”, tha ndër të tjera akad. Skënder Gjinushi.

Gjinushi u shpreh se, “Gjergj Fishta qe një figurë mbizotëruese veçmas në periudhën midis dy luftërave, sepse ishte kthyer në pikë reference jo vetëm për letërsinë e kohës, për ata që e admironin e për ata që e quanin jashtë mode, por para së gjithash për botën albanologjike të asaj kohe në tërësi. Më 1937 ishte Ndre Mjeda ai që ndërmori të parën nismë të themelimit të një akademie shqiptare, që njihet si Akademia Saveriane, e cila është pjesë e historisë së gjatë të akademizmit shqiptar, që nis simbolikisht që me shekullin e Voskopojës dhe Akademinë e Re të saj. Në mesin e vitit 1939 Fishta u emërua anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë, që sot njihet si Accademia Nazionale dei Lincei.
Sa u takon kontributeve në historinë e letërsisë shqipe, Fishtës gjithnjë do t’i njihet merita e pasurimit të llojeve dhe nënllojeve të munguara të saj, duke filluar prej poemës epike heroike deri tek melodrama”.

Sipas Gjinushit, tri merita janë të pazëvendësueshme në krijimtarinë e tij në kuadër të gjithë letërsisë shqipe, prej fillimeve deri në mesin e shekullit të kaluar.

“Poema e tij, kryevepra me të cilën identifikohet me të drejtë, ‘Lahuta e Malcìs’, para se të ishte guxim krijimtarie, ishte guxim për të bërë atë që quhej e pabëshme, për të ardhur tek ngjarjet e bashkëkohësisë, tek kryengritjet e malësorëve sa kundër pushtuesve otomanë aq edhe kundër revanshizmave të fqinjve. Mbas ‘Lahutës së Malcìs’ ishte e lehtë për këdo tjetër të shkruante për ngjarje të kohëve të reja sepse ja, edhe në këto ngjarje kishte dinjitet për letërsi. Merita e dytë e madhe e Gjergj Fishtës është se e ndau përfundimisht lahutën nga heronjtë legjendarë, nga kreshnikët parahistorikë, nga epoka e gojëdhënave kombëtare, tek figurat që do të meritonin jo shumë më vonë monumentin historik: prej Dedë Gjo Lulit e Oso Kukës deri tek Frashërlliu i Toskërisë; prej Tringës së Dukagjinit deri tek Ali pashë Gucia; prej Marash Ucit të Uc Sokolit deri tek prijësit dhe luftëtarët e tjerë të mbrojtjes së trojeve shqiptare nga lakmitë e të huajve, nga vendimet e padrejta të kongreseve ndërkombëtare; të çlirimit të tyre nga sundimi i huaj”, – nënvizoi Gjinushi.

Gjinushi tha se “Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës. Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj”.

Imzot Gjergj Meta, nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e vlerësoi atin françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), si figurën më të madhe dhe më të fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar.
Prof. dr. Bajram Kosumi (Universiteti “Kadri Zeka” i Gjilanit) foli për funksionin edukativ të “Lahutës së Malcìs” dhe vendin e saj në kurrikulat shkollore”. Ai tha se “kritikët dhe lexuesit e veprës së Fishtës, duke parë vlerën e lartë të saj, kanë shtruar çështjen e vendit të Fishtës në historinë e letërsisë shqipe. Vepra e Fishtës është e veçantë nga tradita letrare shqiptare. Së pari, Fishta ka shkruar epin kombëtar shqiptar në frymën e romantizmit, atëherë kur romantizmi ishte çështje e historisë së letërsisë dhe atëherë kur shkrimi i epit, si formë letrare, konsiderohej po ashtu si punë e së kaluarës. Epi kombëtar shqiptar “Lahuta e Malcis” e Fishtës, është epi i fundit i një letërsie europiane”.
Akad. Ardian Ndreca (Universiteti Pontifikal, Romë) veprën e Fishtës “Gomari i Babatasit” e vlerësoi si një manifest kundër legjitimitetit të injorancës.
Prof. asoc. dr. Eldon Gjika foli për “Shënimet estetike” të Fishtës; Akad. Bardhyl Demiraj online nga (Universiteti “Ludwig Maximilian” i Mynihut) mbajti kumtesën midis “Urës së Sutjeskës” dhe asaj të Qabesë: motive folklorike në “Lahutën e Malcìs”.
Prof. asoc. dr. Evalda Paci (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) foli për lirikën e Fishtës në një perspektivë të botimit filologjik e kritik. Ajo tha se “në rastin e Gjergj Fishtës lirikat kanë një historik të mirëfilltë, i mundshëm për t’u ndjekur në disa orientime, përfshirë edhe shfaqjet e autorit në revista që lidhen me thelbin e përshpitnisë franceskane, jetëgjatësia e të cilave përkon dhe me momente kruciale të historisë së urdhënit, të cilit ky i fundit i përkiste”.
Paci u shpreh se “vështrimi i lirikës së Fishtës lidhet me njohjen e shfaqjes së krijimtarisë së tij në disa variante”.
Dr. Arian Leka (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) mbajti kumtesën “Mitologji e krishterë në veprën e Fishtës”.
“Përmbajtja e mitologjisë së krishterë i shfaq Fishtës një horizont kulturor të dallueshëm mes miteve paraardhëse dhe miteve “të vërtetë”, për faktin se mitologjia e krishterë iu bënë jehonë realiteteve të rizbuluara, në themel të cilave janë metafora të tilla si hyjlindja, kryqëzimi, ekaristia, mrekullibërja e pelegrinazhi, si mit shpëtimi dhe formë në miniaturë e eksodit. Duke i lënë për formën e botuar argumentet mbi mitologjinë e krishterë në poezinë a dramaturgjinë e Fishtës propozojmë një zonë jo fort të rrahuar të krijimtarisë së tij, prej nga shfaqja e këtyre motiveve vjen po aq e begatë sa në poezi e dramë, -tha dr.Arian Leka.
Prof. dr. Lekë Sokoli mbajti kumtesën “Sociologjia e Gjergj Fishtës”. Prof. dr. Blerina Suta (Universiteti “L’Orientale” i Napolit) në kumtesën “Manzoni dhe poetika e Fishtës”, bëri një vështrim krahasues me poetin Manzoni, lidhur me llojin e vargut, ritmit, rimës spontane dhe sidomos regjistrin leksikor poetik në gegnisht sipas estetikës së Fishtës.
Akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj (Akademia e Shkencave) në kumtesën “Urtësia e Malësisë së Madhe dhe malësorëve dhe pasuria ligjërimore malësore në “Lahutën” e Fishtës” tha mes të tjerave se “Gjergj Fishta e njohu mirë dhe e deshi Malësinë e Madhe, shkroi për bëmat trimërore e bujarinë e malësorëve një nga poemat më të bukura të letërsisë shqiptare, këndoi në kryeveprën e vet hapësirat e urtësisë, trimërisë dhe bujarisë proverbiale të malësorëve, duke e pohuar e fiksuar në vargje lapidare krenarinë dhe atdhetarinë e malësorëve të Hotit e të krejt Malësisë së Madhe”. Ai foli më tej për njohjen rreth dukurive gjuhësore që përftohen nga vepra e Fishtës.
Prof. dr. Valter Memisha (Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë) foli rreth frazeologjisë në publicistikën e Fishtës. Ai tha se “Fishta mbart shumësi vlerash dhe vlera të pazbuluara ende. Fishta e njihte më shumë se rrallëkush shqipen, i përdori mjeshtërisht mjetet e saj shënuese e shprehëse, pasuroi ato ndjeshëm, e përpunoi gjuhën në një shkallë përsosmërie, sa veprat e tij mbeten gjedhe e shprehjes gjuhësore dhe jo vetëm”.
Prof. dr. Mimoza Priku (Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës) foli për interpretimet kritike e gjuhësore mbi poetikën e Fishtës.
Prof. dr. Kristaq Jorgo (Universiteti i Tiranës) e Edlira Birko sollën në të konferencë studimin Gjergj Fishta – projektues i botës shqiptare në tekst; ku u theksua vizioni, misioni e funksioni i gjithë veprës së Fishtës.
Prof. asoc. dr. Monika Hasani foli rreth disa strukturave foljore në poezinë e Fishtës; ku ka shjelluar me argumente dhe fakte disa nga strategjitë drejtshkrimore që kapërcejnë përmbi format dialektore.
Akad. asoc. Stefan Çapaliku (Akademia e Shkencave) foli për estetikën e satirës fishtiane.
Ai tha se “satira e Fishtës imiton, eksploron, analizon të keqen, apo po të përdorim termin aristotelian “të shëmtuarën”, por në të njëjtën kohë ajo bën të ndërgjegjshëm lexuesin për ekzistencën e një gishti të gjatë e të kontraktuar tregues që drejtohet kah e keqja dhe e shëmtuara, për ekzistencën e një “duhet” apo s’duhet” kjo apo ajo gjë, ky apo ai njeri e mentalitet. Satira e ndihmon atë për të marrë një pozicion moral, për të shprehur hapur gjykime. Më tej Çapaliku tha satira e Fishtës vjen e realizuar përmes një shqyrtimi estetik.
Prof. dr. Shaban Sinani (Akademia e Shkencave) mbajti kumtesën:“Sibilat” e Bogdanit dhe “Orët” e Fishtës”.
Dr. Tonin Çobani (Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës) foli për “Shkrolat” e arta të Fishtës. Ai theksoi përdorimin e fjalës “shkrola” në krijimtarinë e Fishtës si një arkaizëm që ka shumë vlerë për fjalorin e shqipes, e cila është një fjalë e rrallë që e ka marrë në konsideratë edhe gjuhëtari i madh Eqrem Çabej.

 

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.