Ekonomia u rrit me 5.53 % tremujorin e parë, BSH: Sinjale pozitive edhe në vijim

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Banka e Shqipërisë shprehet optimiste që aktiviteti ekonomik pritet të rigjallërohet në vitet e ardhshme.
Në Raportin e Stabilitetit Financiar, Banka e Shqipërisë thekson se, “ekonomia shqiptare u rrit ndjeshëm në tremujorin e parë të 2021 me 5.53 % në terma vjetorë”.
Sipas Bankës Qendrore, përmirësimi i situatës së shëndetit publik, përshpejtimi i procesit të vaksinimit dhe politikat ekonomike stimuluese, u reflektuan në rigjallërimin e konsumit dhe të investimeve. Nga ana e sektorëve të ekonomisë, vlerësohet se rritja ekonomike ka qenë me bazë të gjerë, duke përfshirë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve.
Ndërkohë që kontributi negativ i sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike është zbutur nga ecuria e mirë e eksporteve të mallrave e shërbimeve dhe dërgesat e emigrantëve.
BSH-ja thekson se, disa tregues paralajmërues, sinjalizojnë për vijimin e ecurisë pozitive të ekonomisë edhe në tremujorin e dytë e të tretë të vitit.
Gjithësesi nënvizon BSH-ja, pavarësisht këtyre pritjeve, koordinimi i politikave ekonomike të përshtatshme, do të jetë i nevojshëm për të adresuar pasiguritë që vijimi i pandemisë ruan mbi ecurinë e ekonomisë dhe paralelisht për të ruajtur qëndrueshmërinë e treguesve makroekonomikë në afat më të gjatë.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.