Drejt përfundimit rehabilitimi i portave të shkarkimit në HEC-in e Fierzës

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Në hidrocentralin e Fierzës është drejt përfundimit rehabilitimi i portave të shkarkimit.

Ky investim strategjik është drejt përfundimit dhe po realizohet për herë të parë pas 42 vitesh, që nga koha kur HEC-i i Fierzës u vu në shfrytëzim.

“Po zbatohet projekti i rehabilitimit të portave të tuneleve të shkarkimit nr. 3 dhe nr. 4 si dhe ndërtimi i strukturës metalike në ambientin e sallës së makinerive dhe pajisjeve të tunelit nr.3 të shkarkimit me kapacitet shkarkues 1780 m3 ujë/sek”, bën të ditur KESH.
Ky projekt po realizohet përmes bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe fondet e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Fierza është hidrocentrali i sipërm i kaskadës së lumit Drin. Për nga fuqia e instaluar, pozicioni dhe vëllimi i rezervuarit, Fierza luan rol kyç për shfrytëzimin, rregullimin dhe sigurinë e gjithë kaskadës.

Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1970. Në 1978-ën filloi punën turbina e parë. Me kapacitet të plotë centrali u vendos në punë në vitin 1980. Fierza u ndërtua me pajisje të ardhura nga Kina, por mbi konceptet e inxhinierëve shqiptarë. Për ndërtimin e kësaj vepre kanë punuar rreth 14 000 punëtorë, inxhinierë dhe specialistë.

Hidrocentrali i Fierzës është i tipit me digë dhe rezervuar. Diga e Fierzës, kur u ndërtua, ishte e dyta e këtij lloji në Evropë për nga lartësia e saj. Diga ka një volum total prej 8 milion m3.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.