BSH: Shitje dhe rezultat financiar në përmirësim i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, ecuria e nivelit të shitjeve dhe e rezultatit financiar paraqitet e përmirësuar për ndërmarrjet e mëdha dhe të vogla, në krahasim me gjashtëmujorin e dytë 2020.

Banka e Shqipërisë publikoi raportin e vrojtimit mbi gjendjen financiare dhe të huasë për SME-të në 6-mujorin e parë të 2021, sipas së cilit rezulton se, ndërmarrjet e vrojtuara theksojnë se situata e krijuar nga pandemia vijon të ketë ndikim në aktivitetin e tyre, por shitjet dhe rezultati financiar është përmirësuar në gjysmën e parë të vitit krahasuar me një 6-mujor më parë.

“Mbi 87 % e ndërmarrjeve, në secilin grup sipas madhësisë, kanë raportuar fitim gjatë kësaj periudhe.

Krahasuar me periudhën paraardhëse, pesha e ndërmarrjeve që kanë raportuar fitim ka shënuar rritje për të tre grupet e ndërmarrjeve. Ndërsa pritshmëritë për gjashtëmujorin e ardhshëm për nivelin e shitjeve të përgjithshme dhe të rezultatit financiar paraqiten mjaft optimiste për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve”, thuhet në raportin e BSH-së.

Për sa i takon zgjerimit të veprimtarisë apo rritjes së investimeve, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mëdha shprehen për një zgjerim të veprimtarisë, ndërkohë që ndërmarrjet e mesme vijojnë të paraqesin një ngushtim të lehtë për periudhën.

Pandemia vijon të ketë ndikim në vendimmarrjen e ndërmarrjeve lidhur me investimet apo zgjerimin e aktivitetit të tyre, gjithsesi rritja gjashtë mujore e kësaj balance jep sinjale të mira rigjallërimi.

Sipas raportit të BSH-së, të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve shprehen optimiste për  pritshmëritë në gjashtëmujorin e ardhshëm.

Për këtë vrojtim u përdor një kampion prej 1,374 ndërmarrjesh të madhësive të ndryshme të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë. Nga këto, rreth 82 % iu përgjigjën plotësisht ose pjesërisht pyetjeve të pyetësorit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.