Bënin drift me makina, procedohen penalisht dy shtetas në Lezhë

TIRANË 23 shtator /ATSH-I.Vata/ Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka ka proceduar penalisht dy drejtues mjetesh që bënin drift me makina në mes të qytetit dhe më pas postonin video në rrjete sociale.

Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit e cila njofton se falë bashkëpunimit me qytetarët, Policia Rrugore e Lezhës identifikoi dhe procedoi penalisht 2 drejtuesit e automjeteve si dhe ka bllokuar 2 automjetet.

“Policia e Lezhës, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqeshin 2 drejtues mjetesh që rrezikonin përdoruesit e tjerë të rrugës dhe prishnin rendin e qetësinë publike duke kryer manovra të rrezikshme me makinat e tyre në rrugë, në “Rrethrrotullimin e Katedrales”, Lezhë, falë veprimeve të shpejta dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të mjeteve të shfaqur në video.  Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë proceduan penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, drejtuesit e mjeteve, shtetasit K. F., 25 vjeç dhe E. B., 22 vjeç, banues në Ishull Lezhë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 2 automjetet dhe për secilin prej drejtuesve kanë vendosur masën administrative 40.000 lekë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.