Alibeaj: Ndarja e politikës nga krimi është një prioritet kombëtar për PD-në

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi sot se “për Partinë Demokratike, ndarja e politikës nga krimi është një prioritet kombëtar”.

“Prej kohësh, me fakte dhe prova kemi paralajmëruar se si modeli i ndërtuar nga Edi Rama po përhapet si një tumor në indet e partisë që ai sundon dhe metastazat shtrihen në gjithë aparatin shtetëror. Debatet e publikuara në media nga mbledhja e PS-së së Shkodrës, konfirmojnë se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore në bashkëpunim me krimin, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale”, tha Alibeaj.

Sipas tij, “këto rrëfime janë prova më e qartë se si partneriteti i pakicës plaçkitëse Rama-Doshi-Rakipi, funksionon si një PPP korruptive dhe kriminale, në kurriz të familjeve shqiptare”.

“Pak ditë më parë ata bashkuan mandatet e vjedhura për të konfirmuar ortakërinë e tyre parlamentare, jo për të zgjidhur çështjen e papunësisë, gjendjen e rëndë ekonomike apo korrupsionin që cenon të ardhmen e Shqipërisë, por për të nginjur babëzinë e tyre në dëm të qytetarëve. Përballja me këtë model është detyrë imperative për Partinë Demokratike dhe për shoqërinë shqiptare, sepse çkapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni janë e vetmja mënyrë për t’u dhënë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë”, tha ai.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.