Vetingu, KPA konfirmon në detyrë prokurorin Petrit Çano

TIRANË 22 shtator /ATSH-I.Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sa i përket subjektit të rivlerësimit Petrit Çano.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Petrit Çano.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 183, datë 19.07.2019 që i përket subjektit të rivlerësimit Petrit Çano. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi vendosi më 19.07. 2019 konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Petrit Çano, me funksion prokuror/drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.