Transportonin emigrantë të paligjshëm, në pranga 5 shtetas në Korçë

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Policia e Korçës goditi sot dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Në kuadër të operacionit “Perimetri” 5 shtetas që u kapën duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm u vunë në pranga.

Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve B. Q., 20 vjeç, A. P., 17 vjeç, E. F., 20 vjeç, G. Q., 20 vjeçe banues në Tiranë dhe A. M., 44 vjeç, banues në fshatin Porodinë, Korçë.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në lagjen nr. 10, Korçë, katër shtetas duke transportuar me mjetet tip “Benz” dhe “Audi” 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu shërbimet e Policisë Rrugore, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Tiranë, pranë fshatit Psikupat, Pogradec, mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. M., i cili po transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit 200 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.