Shqipëri-OKB, bashkëpunim për shëndetësinë dhe programet e mbrojtjes sociale

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me Koordinatoren e Përhershme të OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney dhe partnerët e tjerë të Agjencive të Kombeve të Bashkuara, drejtuesit e OBSH, UNICEF, UNDP dhe UNWomen.

Ministrja bën të ditur se, në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit për shëndetësinë dhe programet e mbrojtjes sociale.

“Duke i falenderuar për mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në luftën kundër pandemisë COVID-19, diskutuam edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm për sfidat e mëdha që kemi përpara, për përmbushjen e reformës në shëndetësi, mbrojtjen sociale dhe barazinë gjinore, në kuadër të programit të ri të bashkëpunimit mes Qeverisë shqiptare dhe Kombeve të Bashkuara në 4 vitet e ardhshme”, tha Manastirliu.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.